KW4W

ANALIZIMI I SHPALLJEVE, HULUMTIMI I KOMPANIVE DHE GJETJA E PUNËS SË PËRSHTATSHME

ANALIZIMI I SHPALLJEVE, HULUMTIMI I KOMPANIVE DHE GJETJA E PUNËS SË PËRSHTATSHME

Shpalljet e punës shumë shpesh janë reflektim i mentalitetit dhe qëllimeve të kompanisë apo organizatës përkatëse. Në të mund të vërehen ambiciet e kompanisë, përgjegjësia, niveli i edukimit të njerëzve që punojnë në të, ngrohtësia sociale dhe aspekte tjera që determinojnë suksesin e një kompanie.

Një kundërargument i shpeshtë që bëhet kundër kësaj teorie është se shpalljen e një kompanie për një vend të lirë pune e përpilon një person i vetëm, prandaj kualiteti i shpalljes varet vetëm nga ai person, jo nga e gjithë kompania. Ne besojmë se kjo nuk është e vërtetë. Nëse kompania lejon që një person i cili nuk njeh drejtshkrimin ta përpilojë shpalljen e saj të punës, atëherë ajo kompani: a) nuk është e kujdesshme apo e preokupuar me punëtorët dhe imazhin e saj, apo b) as drejtuesit e saj nuk e njohin drejtshkrimin dhe mendojnë se gjithçka është në rregull.

Kompanitë e mira i japin rëndësi shpalljeve të tyre të punës, pa marrë parasyshë madhësinë apo buxhetin e tyre. Ata e dinë se kualiteti nxitë kualitetin. Ata gjithashtu e dinë se shpalljet kualitative, përpos që tërheqin punëtorë kualitativë, shërbejnë edhe si reklamë për produktet apo shërbimet që ajo kompani ofron.

Shpallja kualitative e punës, sidomos për ne që merremi me këtë sektor, vërehet nga aeroplani, nëse flasim figurativisht. Ajo duket bukur në shikim të parë, dhe përmbajtja e saj është e qartë, e sinqertë dhe informative. Drejtshkrimi është gjithmonë prezent. Në varësi nga serioziteti i kompanisë, toni që përdoret mund të jetë më i ngohtë dhe miqësor apo më i ftoftë dhe më formal. Ky faktor mund të ju shërbejë për të kuptuar klimën e një kompanie. Me seriozitet ne nuk nënkuptojmë përkushtimin, por formalitetin. Ka kompani në të cilat klima nuk është shumë serioze, mirëpo përkushtimi në punë nuk mungon, dhe anasjelltas.

Nëse një shpallje pune ju ka bërë përshtypje pozitive, ju duhet që të mbledhni të dhëna rrethanore për kompaninë përkatëse. Një mënyrë e mirë për të parë se a përputhet kualiteti i kompanisë me shpalljen e tyre është vizitimi i webfaqes së tyre, apo edhe vizita e zyreve të tyre. Shumica e faktorëve që i japin kualitet një shpalljeje vlejnë edhe për webfaqen (estetika, drejtshkrimi, përmbajtja). Nëse ju vëreni se webfaqja e kompanisë gjithashtu ka kualitet të lartë, atëherë besimi juaj ngritet në atë se kompania është metëvërtetë ajo që pretendon. Ju mund të flisni edhe me ndonjë punëtor të asaj kompanie dhe të shikoni se çfarë mendimi kanë ata për të. Sa më shumë burime që të konsulltoni mbi kompaninë, aq më të qartë do ta keni imazhin për të.

Ju gjithashtu duhet të vlerësoni edhe sa përshtateni me kërkesat, klimën dhe politikat e kompanisë në të cilën dëshironi të aplikoni për punë. Ju mund të keni këndvështrime plotësisht të kundërta me një kompani, edhe pse ajo i përmbushë standardet e saj suksesshëm. Ju duhet të siguroheni që ambienti i brendshëm i një kompanie do të ju sigurojë komfort, përndryshe mirëqenia juaj psikologjike mund të shënojë rënie, edhe nëse pagën do ta keni të mirë. Klima e brendshme e kompanisë është shumë e rëndësishme për ju. Nëse do të ishit me një pozitë ku do të duhej të zgjedhnit midis pagës më të lartë apo klimës më të mirë sociale, ne do të ju rekomandonim të shkonit me opsionin e dytë. Nëse paga është e lartë por klima sociale është e keqe, juve do të ju paraqiten probleme shtesë (si problemi me shëndet mendor) në të cilat do të duheni të investoni energji, kohë dhe para për të i rregulluar.

Sa i përket kërkesave të kompanisë për ju, në vazhdim do të flasim për hulumtimin dhe njohjen e pozitës në të cilën ju do të aplikoni.