KW4W

APLIKIMI

APLIKIMI

Pasi që keni përfunduar fazat e kaluara me sukses, juve ju mbetet të aplikoni në pozitën e dëshiruar të punës. Aplikimi mund të bëhet nëpërmjet internetit, telefonit, apo dorëzimit fizik të zarfit. Zakonisht kompanitë janë specifike për mënyrat e aplikimit. Ju duhet që gjithmonë të i ndiqni udhëzimet specifike të kompanive përkatëse për aplikim.

Mënyra e aplikimit nëpërmjet interneteti mund të marrë forma të ndryshme. Kompanitë mund të kërkojnë që aplikacionet të dorëzohen në e-mail adresat e tyre; të aplikohet nëpërmjet formave të gatshme në webfaqet e tyre; apo të aplikohet nëpërmjet ndonjë portali të jashtëm të punësimit. Në qoftë se kompania kërkon që ju të aplikoni nëpërmjet e-mail adresës, atëherë ju duhet që gjatë përpilimit të e-mailit të shënoni pozitën për të cilën aplikoni në titull të e-mailit; të bashkangjitni C.V.-në tuaj, letrën e motivimit, si dhe kopjen e çdo dokumenti shtesë që kompania kërkon. Në qoftë se kërkohet aplikimi nëpërmjet webfaqe, atëherë ju duhet që të vizitoni faqen e tyre dhe të ndjekni me përpikmëri hapat dhe udhëzimet për aplikim. Poashtu, në qoftë se ju aplikoni nëpërmjet ndonjë portali të jashtëm të punësimit në pozitën tuaj të dëshiruar (p.sh. nëpërmjet KosovaJob), ju duhet të i ndiqni udhëzimet specifike të atij portali për atë vend pune.

Aplikimi nëpërmjet telefonit është shumë më i thjeshtë. Ju duhet të telefononi kompaninë e caktuar dhe të tregoni se jeni të interesuar të punoni në vendin e ri të punës që kanë hapur. Atëherë përfaqësuesit e kompanisë do të ju paisin me udhëzime të mëtutjeshme që duheni të i ndiqni.

Nëse kompania kërkon nga ju që të aplikoni direkt në zyret e tyre, atëherë ju duhet të keni kopje fizike të dokumenteve tuaja. Ju duhet që C.V.-në tuaj, letrën motivuese dhe çdo dokument tjetër ta printoni dhe ta mbyllni në një zarf të cilin do ta dërgoni në zyret e kompanisë. Në pjesën e përparme të zarfit ju duhet të shënoni informatat e kërkuara nga kompania.

Pasi që të keni aplikuar, juve ju mbetet të prisni për përgjigjje.