KW4W

KOMUNIKIMI DHE SOCIALIZIMI NË PUNË

KOMUNIKIMI DHE SOCIALIZIMI NË PUNË

Ne nuk mund të theksojmë sa duhet rëndësinë e komunikimit në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Komunikimi i duhur bën dallimin në mes të punëtorit të suksesshëm dhe atij jo të suksesshëm, në mes të raporteve të mira sociale dhe raporteve të mjerueshme, si dhe ndonjëherë në mes të jetës dhe vdekjes.

Komunikimi i mirë nuk ka të bëjë vetëm me fjalët apo me gramatikën që përdoren për të komunikuar. Komunikimi i mirë është rezultat i vetëbesimit, respektit për të tjerët dhe njohjes së kufijve personalë. Komunikimi kualitativ i personit me këto karakteristika është spontan dhe automatik. Ju mund të gjeni informata dhe këshilla të shumta për atë se çfarë është komunikimi i mirë dhe si bëhet, por ju nuk do të mund të praktikoni atë pa pasur vetëbesim, respekt për palën tjetër si dhe njohje të territoreve personale.

Komunikimi i mirë dhe parakushtet e tij lidhen direkt me socializimin. Për të u shoqëruar me dikë, juve ju nevojitet që së pari të respektoni personin me të cilin dëshironi të shoqëroheni. Por shoqërimi me atë person nuk ka të bëjë vetëm me të, por edhe me juve, prandaj ju duhet të respektoni edhe veten. Kur ju arrini të respektoni të tjerët dhe veten në mënyrë të barabartë, atëherë ju keni balansin e duhur i cili ju nevojitet për të u shoqëruar në mënyrë të shëndoshë me të tjerët.

Njohja e kufijve personalë është jashtëzakonisht i rëndësishëm gjatë socializimit. Në çdo situatë sociale ekzistojnë 3 territore: territori juaj personal, territori i përbashkët (neutral) si dhe territori personal i të tjerëve. P.sh. nëse ju gjindeni në veturën tuaj duke udhëtuar, atëherë territori juaj personal është hapësira brenda veturës suaj, territori i përbashkët është rruga, dhe territori personal i të tjerëve janë hapësirat brenda veturave të tyre. Ju mund të dëgjoni çfarë muzike të doni në veturën tuaj, por ju nuk keni të drejtë që muzikën tuaj të ju impononi të tjerëve jashtë veturës suaj. Ju gjithashtu nuk duhet të lejoni që dikush tjetër të ju imponojë muzikën në veturën tuaj. Rregullat e njëjta, edhe pse të pashkruara, vlejnë edhe në çdo situatë tjetër sociale. Në punë, të gjithë punëtorët gjenden në një mjedis të përbashkët. Ne mund të argumentojmë se tavolina juaj e punës ka natyrë më personale për juve dhe ajo është territori gjysëm-personal i juaj. Ju keni të drejtë të rregulloni dollapët e tavolinës sipas dëshirës suaj, por ju nuk keni të drejtë të bëni atë në tavolinat e të tjerëve. Menaxherët janë të autorizuar të përkujdesen për hapësirën e përbashkët, prandaj ata kanë të drejta shtesë për menaxhimin e kësaj hapësire.

Nëse ju njihni mirë këta kufij, ju do të keni shumë pak probeme sociale në punën tuaj. Shumica e konflikteve sociale burojnë nga njohja e dobët e kufijve personalë. Shkelja e kufijve krijon shumicën e luftërave.

Më herët ne kemi përmendur se çdo grup social ka kodet e veta të sjelljes, veshjes dhe komunikimit. Kur ju punësoheni në një punë të re, ju do të ballafaqoheni me grupe të ndryshme sociale brenda kompanisë në të cilën punoni. Për shumë njerëz shoqërimi është proces spontan, por për shumë të tjerë shoqërimi nuk është proces i tillë. Sidoqoftë, shoqërimi mund të bëhet i lehtë nëse ju njihni kodet e grupeve me të cilat dëshironi të shoqëroheni. Përpos kësaj, njohja e kufijve peronalë do ju ndihmojë të mbani balansin social në mes vetes dhe të tjerëve në atë grup.

Jo të gjithë njerëzit kanë nevojat e njëjta për socializim. Mirëpo studimet tregojnë se raportet shoqërore kualitative me njerëzit tjerë përmirësojnë mirëqenien tuaj. Prandaj ne ju rekomandojmë që ju të krijoni raporte miqësore dhe me respekt reciprok me kolegët në punën tuaj.