KW4W

PROFESIONALIZMI DHE FOKUSIMI NË OBJEKTIVA

PROFESIONALIZMI DHE FOKUSIMI NË OBJEKTIVA

Që të jeni profesional dhe të respektoheni në vendin tuaj të punës, ju duhet të sinkronizoheni maksimalisht me vizionin e kompanisë suaj në planin afatshkurtë dhe afatgjatë.

Sa i përket planit afatshkurtë, metoda më e mirë e punës është fokusimi në objektivat ditore. Kjo gjë mund të tingëllojë evidente mirëpo performanca e dobët e punës nuk është gjë e rrallë, dhe ajo karakterizohet në mënyrë tipike nga fokusi dhe përkushtimi i dobët në objektivat e punës. Ju gjendeni në punë për të u marrë me problemet dhe detyrat e pozitës suaj. Ju duhet që shumicën e kohës në punë ta shpenzoni duke u marrë me objektivat tuaja në mënyrë aktive dhe efektive.

Ballafaqimi aktiv dhe efektiv me objektivat tuaja në punë do të thotë se ju nuk shpenzoni kohë kot duke hulumtuar informacione dhe teknika të cilat nuk ju nevojiten gjatë punës suaj. Ju duhet të përvetësoni teknikat më efektive për të përfunduar punët tuaja. Nëse puna juaj përfshinë menaxhimin dhe manipulimin e informacionit në kompjuter, ju duhet që të hulumtoni teknikat më të sofistikuara për të bërë këtë. Teknikat e sofistikuara të punës e bëjnë një punëtor të veçohet në punën e tij. Krijmi i rutinave efektive është shumë i nevojshëm, mirëpo ju duhet të jeni të gatshëm që në çdo moment të dilni nga rutina juaj dhe të përdorni mendimin analitik për të zgjidhur probleme të reja. Kreativiteti është gjithmonë i mirëpritur edhe në profesionet më teknike, prandaj të qenurit kreativ mund të ju ndihmojë jashtëzakonisht shumë në shpikjen e teknikave të reja të punës si dhe në zgjidhjen e problemeve të reja nëpërmjet teknikave ekzistuese.

Fokusimi dhe përkushtimi në objektivat ditore të punës, edhe pse mund të ju bëjë profesionist të aftë, nuk mjafton që të jeni punëtor shumë i suksesshëm. Ju duhet të njihni vizionin dhe ambiciet e kompanisë apo organizatës në të cilën punoni. Pse ekziston kjo kompani? Cilat janë qëllimet e saj? Njohuria juaj mbi vizionin e kompanisë mundëson që ju të sinkronizoheni optimalisht me planet afatgjata të saj dhe të dini të orientoheni në udhëkryqet e herëpas’hershme me të cilat do të ballafaqoheni gjatë karrierës suaj në të. Njohja e mirë e vizionit të kompanisë suaj gjithashtu do të iu mundësojë ngritjen tuaj profesionale dhe promovimin tuaj në atë kompani. Punëdhënësit respektojnë punëtorët të cilët njohin dhe përkrahin vizionin e tyre.

Në vazhdim do të flasim për cilësitë pozitive të punëtorëve të suksesshëm të cilat janë esenciale për ngritjen profesionale të tyre dhe të kompanisë në të cilën ata punojnë.