Thirrje për aplikim për përkrahje
ART Construction

Projekti: ‘Mbroje të Drejtën Tënde’

Termat e referencës

për

Thirrje për aplikim për përkrahje*

1. Hyrje

Kjo thirrje për aplikim është hapur për t’i përkrahur ekonomikisht gratë të cilat e kanë inicuar ndonjë procedurë për realizimin e së drejtës së tyre në pronë dhe trashëgimi. Do të jenë 15 gra që do të kenë mundësi të përfitojnë nga kjo përkrahje jo-monetare, që do të thotë përkrahje në formë të pajisjeve, mjeteve të punës, materialeve bujqësore apo të mira të tjera që gratë i konsiderojnë të rëndësishmë për mirëqenjen ekonomike të tyre dhe familjes së tyre.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit ‘Stand for HER property’ që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së grave, fëmijëve dhe të rinjve për të drejtat e tyre pronësore si dhe inkurajimin e grave për ta gëzuar këtë të drejtë.

*Përkrahje që do të ofrohet do të jetë jo-monetare, e që nënkupton përkrahje në formë të pajisjeve, mjeteve të punës, materialeve bujqësore (fara, fidane, sisteme për ujitje, rrethoja, pjesë për sera, etj.) apo të mirave tjera.

2. Informata rreth projektit dhe Kosova – Women 4 Women

Ky projekt është duke u implementuar nga Kosova – Women 4 Women në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC). Fillimisht ky projekt ka për synim t’i informojë gratë lidhur me ligjin dhe të drejtat e tyre të garantuara me ligj, Strategjinë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, dhe rrugët ligjore të cilat duhet të ndjeken për të realizuar atë të drejtë. Gjithashtu projekti ka për synim bashkimin e grave në luftimin e zakoneve/ligjet tradicionale duke i ballafaquar diskutimet në mes të grave dhe fëmijëve të tyre në debate të hapura, për të diskutuar ide dhe qëndrime individuale si dhe për të fituar njohuri të reja. Pjesa fuqizuese e projektit ka të bëjë me stimulimin dhe motivimin e grave për të ushtruar të drejtën e tyre në pronë, e cila është paraparë të bëhet duke i përkrahur ato me benefite të ndryshme që stimulojnë zhvillimin e tyre ekonomik, si dhe duke ju mundësuar ofrimin e ndihmës juridike falas për ato që kanë nevojë.

Kosova – Women 4 Women ka për mision përkrahjen e grave më të margjinalizuara në Kosovë për të fituar dhe kursyer të holla, për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien, për të ndikuar në vendimmarrjen brenda familjes dhe komunitetit dhe për të krijuar rrjete mbështetëse/sociale. Duke i shfrytëzuar aftësitë, njohuritë dhe duke pasur qasje në burime të ndryshme, gratë do të jenë në gjendje të krijojnë ndryshime të qëndrueshme për veten e tyre, familjet e tyre dhe komunitetin.

3. Thirrja për aplikim për përkrahje

3.1. Qëllimi i Thirrjes

Qëllimi i kësaj thirrjeje është që të inkurajohen gratë dhe të përkrahen nëse e kërkojnë realizmin e të drejtës së tyre në pronë dhe trashëgimi. Në fund të këtij aktiviteti ne presim që të kemi gra të fuqizuara të cilat kanë siguri sociale dhe ekonomike sepse kanë pronë në emër të tyre dhe kanë një mbështetje dhe shtytje për zhvillim ekonomik.

3.2. Kush mundet aplikojë?

Kjo thirrje është e hapur për gratë nga e gjithë Kosova, të cilat kanë inicuar procedurë për kthimin e pronës së paluajtshme në emër të tyre apo në bashkëpronësi, e kjo nënkupton procedurat që lidhen me kërkimin dhe realizimin e të drejtës së tyre në trashëgimi, apo të drejtës së tyre në pronë të përbashkët, përfshirë pronë të përbashkët martesore.

Të gjitha gratë që prej nëntorit 2019, kanë filluar ndonjë proces për të regjistruar ndonjë pronë të paluajtshme në emër të tyre, kanë të drejtë të aplikimit për këtë përkrahje në formë jo-monetare.

3.3. Kriteret për aplikim dhë përzgjedhje

Vlera maksimale e kërkesës për përkrahje me të cilën mund të aplikohet duhet të ketë vlerën e rreth 500€ (në vlerën esaktë të 550$ varësisht nga kursi i këmbimit). Nëqoftë se vlera e përkrahjes së kërkuar është më e lartë se kjo shumë, aplikimi merret në konsideratë nëse gruaja e bashkëfinancon pjesën e mbetur. Në rast të bashkëfinancimit – gratë do të kenë të drejtë të përfshihen në procesin e prokurimit dhe përzgjedhjen e produktit.

Kriteret e poshtë shënuara duhet të plotësohen në mënyrë kumulative, që nënkupton se asnjë kriter nuk mund të mbetet i pa plotësuar, mirëpo në rast të numrit të madh të aplikimeve për periudhë të njejtë, do t’u jepet përparësi grave që jetojnë në kushte më të vështira ekonomike.

Kriteret janë:

  • Të kenë të regjistruar pronën ose bashkëpronësinë në emrin e tyre me datë prej nëntorit 2019 e tutje dhe të sjellin dëshmi për pronën e paluajtshme në emrin e tyre OSE të kenë të inicuar procesin e regjistrimit të pronës ose bashkëpronësisë në emrin e tyre me datë prej nëntorit 2019 e tutje dhe të sjellin dëshmi për këtë
  • Të ofrojnë dëshmi se janë banorë të Kosovës mbi moshën 18 vjeçare – si letërnjoftimin ose tjetër;
  • Të plotësohet forma për aplikim në linkun e prezentuar më poshtë dhe të gjitha fushat në të. Kujdes të veçantë duhet të ketë të përshkrimi i idesë dhe nevojës për përkrahje;
  • Të mos aplikohet më shumë se 1 herë.

Për përzgjedhjen e përfitueseve për këtë thirrje do të vlejë qasja ‘e para që aplikon dhe që i përmbush kriteret – e para përfiton’. Po sa të arrihet numri i 15 grave të para që i plotësojnë kriteret, thirrja do të mbyllet. Kjo nënkupton edhe përkrahjen e maksimum 15 përfitueseve në vlerën e lartëcekur.

Pasi të aprovohet aplikimi i grave, ato do të përkrahen edhe në përgatitjen e planit të thjeshtë të biznesit për ekonominë e saj familjare nga një ekspert i jashtëm i cili do t’i ndihmojë në finalizimin e kërkesës dhe planit për mbështetje. Mbështetja nuk do të merret në formë të parave të gatshme (andaj edhe theksohet jo-monetare), mirëpo në formë të të mirave të ndryshme të kërkuara nga vet gratë dhe përkitazi me veprimtarinë e tyre ekonomike.

3.4. Aplikimi

Të gjitha të interesuarat duhet të plotësojnë formën e aplikimit online – duke klikuar në linkun https://ee.humanitarianresponse.info/::YAgit0bs. Dokumentet përcjellëse bashkangjiten në fund të formës për aplikim online dhe udhëzimet janë në formë.

Format e aplikimit të cilat dorëzohen të pa-plotësuara me rregull dhe pas mbylljes së thirrjes nuk do të merren parasysh.