KW4W

NËNSHKRIMI I KONTRATËS DHE DITA E PARË NË PUNË

NËNSHKRIMI I KONTRATËS DHE DITA E PARË NË PUNË

Në ditën e nënshkrimit të kontratës, ju do të njoftoheni për të gjitha detajet lidhur me punën tuaj të ardhshme. Ka kompani që këto detaje i vendos në shpalljen e saj të punës qysh në fillim, mirëpo ka shumë të tjera të cilat këto detaje i japin vetëm pasi që personi është pranuar në pozitën e tyre. Ju do të njoftoheni për orarin e punës, përgjegjësitë dhe detyrat tuaja, kodin etik, kodin e veshjes si dhe detaje tjera. Para se ta nënshkruani kontratën me kompaninë, lexojeni të gjithë përmbajtjen e saj dhe sigurohuni që pajtoheni me çdo pikë të cekur në të. Mos hezitoni të bëni pyetje lidhur me përmbajtjen e paqartë. Varësisht nga kompania, ju mund të filloni punën menjëherë apo disa ditë më vonë.

Sigururohuni që ditën e parë të punës të arrini në kohë apo disa minuta më herët. Përshëndetni stafin rreth jush dhe prezentohuni shkurtimisht. Pasi të uleni në vendin tuaj, personi i kualifikuar do të ju paisë dhe njoftojë me materialin tuaj të punës dhe me detyrat konkrete. Ju duhet të filloni menjëherë të merreni me to, sikur të ishit duke punuar në atë vend shumë kohë më parë. Bëni pyetjet e duhura, siguroni që i keni të qarta përgjigjjet, dhe filloni të punoni.

Ju tashmë jeni pjesë e kompanisë, prandaj duhet të filloni të ndjeheni dhe të silleni si pjesë e saj. Duhet të dini se që nga ky moment, ju jeni po aq të rëndësishëm sa punëtorët tjerë në atë kompani. Rezistenca për të komunikuar është normale në ditën e parë të punës, prandaj mos tentoni që ta shtyni veten me zor për ta bërë atë. Lejoni që dëshira për socializim të vijë natyrshëm. Përgjigjjuni çdo pyetjeje profesionale që ju bëjnë kolegët dhe mos hezitoni që edhe ju të bëni pyetje nëse keni nevojë.

Në pauzë ju mund të kaloni kohën së bashku me kolegët tuaj dhe të shfrytëzoni rastin që të njoftoheni më mirë me ta. Ju duhet të jeni të vetëdijshëm që ju jeni duke u bërë pjesë e një grupi të ri social. Çdo grup social e ka kodin e tij të pashkruar të sjelljes, komunikimit, dhe gjërave tjera. Filloni të njoftoheni me këto kode.

Sigurohuni që të bëni maksimumin rreth detyrave tuaja ditore, dhe sigurohuni që keni përfunduar çdo detyrë me sukses. Në fund të ditës mund të kërkoni nga menaxheri që të kontrollojë punën që keni bërë. Nëse ka diçka të cilën nuk e keni bërë mirë, sigurohuni që të përmirësoni atë.

Pasi që të i përfundoni të gjitha, përshëndetni kolegët dhe ju jeni të lirë për të lënë zyren tuaj.