KW4W

PRITJA E THIRRJES DHE PËRGATITJA PËR INTERVISTË

PRITJA E THIRRJES DHE PËRGATITJA PËR INTERVISTË

Pasi të aplikoni në vendin e punës së dëshiruar, juve ju mbetet të prisni telefonatën apo e-mailin e kompanisë. Ju duhet të dini se kjo telefonatë mund të mos ndodhë asnjëherë. Është shumë normale që kompania të zgjedhë një kandidat tjetër e jo juve. Kë është proces i zakonshëm i kërkimit të punës, dhe nëse ndodhë, ju duhet të jeni në gatishmëri që të filloni menjëherë kërkimin e një pune tjetër.

Por ju gjithashtu duhet të jeni të gatshëm në çdo moment për një intervistim të mundshëm. Që nga momenti i aplikimit, ju duhet të filloni hulumtimin serioz të kompanisë në të cilën keni aplikuar dhe kërkesave të saj. Ne preferojmë që ju të njoftoheni me historikun e saj, objektivat si dhe vizionin e tyre. Kompanitë vlerësojnë shumë punëtorët të cilët janë të interesuar në misionin e tyre.

Kur telefonata bëhet, ju duhet të dëgjoni me kujdes bashkëbiseduesin dhe të shënoni informatat që përfaqësuesi i kompanisë ju jep, si datën dhe kohën e intervistimit, adresën dhe numrin për kontakt. Ju nuk duhet të hezitoni për të bërë pyetje për gjërat e paqarta gjatë bisedës. Mirëpo ju nuk duhet të bëni presion për pranimin tuaj në kompani. Kjo gjë është e ndaluar rreptësisht, dhe mund të ju terminojë menjëherë pjesëmarrjen në intervistë.

Sigurohuni që të gjeni ndërtesën ku do të mbahet intervista, disa ditë para mbajtjes së saj. Ju mund të mos e gjeni lokacionin me tentimin e parë, prandaj është e rrezikshme që kërkimi i vendit të bëhet në ditën e intervistës.

Përpos hulumtimit të kompanisë dhe të vendit të punës, ju duhet të bëni edhe përgatitje të brendshme. Në vazhdim do të flasim për përgatitjen psikologjike që duhet të bëni para se të merrni pjesë në një intervistë pune.