KW4W

Puna praktike me KW4W

Gusht 2023
Unë jam Fortesa Kryeziu, një 21-vjeçare nga Komuna Kamenicës. Sot, me një ndjenjë shumë të veçantë, dua të ndaj me ju një kapitull të veçantë në jetën time!
Ka qenë një rrugëtim shumë emocionues dhe mësimplotë në Universitetin e Prishtinës, ku po mbaroj studimet Bachelor në Punë Sociale. Por, sot dua të falenderoj organizatën KW4W, që më dha mundësinë të ndaj angazhimin tim në shërbim të komunitetit.
Fillimisht, erdha tek KW4W për të kryer praktikën obligative nga universiteti. Por ajo që fillimisht ishte një detyrë e përkohshme, u bë një eksperiencë e paharrueshme. Me pëlqimin e menaxherëve, vendosa të qëndroj edhe për tre muaj të tjerë. Kjo përvojë më bëri të kuptoj se vlerësohen dhe inkurajohen njerëzit e përkushtuar dhe të angazhuar.
Duke punuar me zemër dhe dëshirë për të ndihmuar, kam pasur mundësinë e mrekullueshme të punoj në terren dhe në zyrë me projekte të ndryshme. Përfshirja ime në projekte të terrenit më ka ndihmuar të ndjehem pjesë e komunitetit dhe të kuptoj impaktin pozitiv që mund të krijoj në jetën e grave. Po ashtu, duke u angazhuar në zyrë, kam zhvilluar aftësitë time administrative dhe organizative, duke mësuar të menaxhoj projekte me sukses.
Stafi i KW4W është një grup i jashtëzakonshëm të përkushtuar ndaj një qëllimi të përbashkët – fuqizimit ekonomik dhe social te grave në Kosovë. Atmosfera e inkurajimit dhe frymëzimit ka bërë që puna në ekip të jetë e lehtë dhe produktive. Në këtë ambient pune të mrekullueshëm, janë vlerësuar idetë dhe kontributi i çdo anëtari. Kjo përvojë ka ndikuar pozitivisht në rritjen time, jo vetëm si profesionale, por edhe si individ.
KW4W më ka dhënë mundësinë të zhvilloj njohuri të reja, të ndihmoj komunitetin dhe të rris aftësitë time profesionale. Kam ndjekur me mburrje rrugën time në këtë organizatë dhe shpresoj se do të vazhdoj të kontribuoj në projekte të tjera të rëndësishme në të ardhmen. Ky ka qenë një kapitull i jashtëzakonshëm në jetën time dhe kam bindjen se eksperienca dhe mësimet e fituara në KW4W do të jenë me vlerë për të ardhmen time. Një kujtim i veçantë dhe frymëzues që do të mbetet gjithmonë në zemrën time!
Faleminderit për përkrahjen dhe inkurajimin tuaj! Do të vazhdoj të punoj me zemër për ndihmën e komunitetit dhe për të krijuar ndryshime pozitive.
Së bashku mund të krijojmë një botë më të mirë!