Ka filluar punëtoria tre-ditore për përgaditjen e planeve të mitigimit në komunën e Drenasit. Gjatë këtyre tre ditëve, përfaqësues nga institucionet, të dedikuara për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore, do të bashkëpunojnë për të vlerësuar sfidat specifike që rrjedhin nga pandemia COVID-19. Pas këtij vlerësimi, ata do të analizojnë kuadrin ligjor ekzistues dhe do të eksplorojnë strategjitë e avokimit që synojnë forcimin e të drejtave dhe mbrojtjen e vajzave dhe grave. Qëllimi përfundimtar është të zhvillohet një plan gjithëpërfshirës për angazhimin e komuniteteve dhe institucioneve lokale në përpjekjet për të parandaluar dhunën me bazë gjinore.
Këto punëtori, nën fasilitimin e ekspertes Jorida Xhafaj, kanë mbledhur bashkë Luljeta Bilalli, Prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë; Driton Morina, Komandant në Stacionin Policor në Drenas; Lumnije Krapi, Drejtore në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Drenas, Zahrie Podrimqaku Subashi, Zyrtare për Barazi Gjinore dhe të Drejta të Njeriut në Drenas; Zana Asllani, Drejtore në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë; Ariana Isufi, Zyrtare e Shërbimeve Sociale në Qendrën për Punë Sociale në Drenas.
Punëtoritë po zhvillohen në kuadër të projektit “Together Building Resilience” i financuar nga Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës kundër grave (UN Trust Fund). Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave (UN Trust Fund) është i vetmi mekanizëm global për dhënien e granteve i dedikuar ekskluzivisht për të adresuar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel lokal dhe kombëtar. Deri më sot, Fondi i Mirëbesimit i OKB-së ka dhënë 215 milionë dollarë për 646 iniciativa në 140 vende dhe territore.