Shqipe Gashi, një grua e palodhshme nga fshati Kishnicë, komuna e Prishtinës ka arritur të kthejë pasionin e saj për bujqësinë në një burim të qëndrueshëm të të ardhurave. Falë mbështetjes së projektit IWKA që i financoi ngritjen e një serre moderne, Shqipja tani kultivon speca të freskët dhe prodhon turshi të shijshme që kanë gjetur vend të merituar në treg.
“Para se të kisha serën, ishte e vështirë të siguroja sasi dhe cilësi të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat. Tani, me serën, kam prodhim të vazhdueshëm dhe të kontrolluar gjatë gjithë sezonit,” thotë Shqipja.
Serra i ka ndihmuar Shqipes të sigurojë një ambient të përshtatshëm për kultivimin e specave, duke rritur ndjeshëm prodhimin dhe cilësinë. Specat e freskët më pas përpunohen në turshi të cilat ajo i përgatit me kujdes dhe pasion, duke krijuar një produkt që kombinon traditën dhe shijen unike.
Çfarë e bën historinë e Shqipes të veçantë?

Prodhim cilësor dhe i qëndrueshëm i specave, falë kushteve ideale të serrës moderne.

Turshi cilësore dhe të shijshme.

Rritje e të ardhurave, duke krijuar produkte të kërkuara dhe të vlerësuara në treg.
“Serra më ka ndihmuar të arrij një nivel të ri në punën time. Tani mund të kultivoj më shumë speca dhe të përgatis turshi të cilësisë së lartë që janë shumë të kërkuara nga klientët. Kjo ka qenë një mundësi që më ka ndryshuar jetën,” shton Shqipja.
Historia e Shqipe Gashit është një shembull frymëzues i asaj se si mbështetja për teknologjitë moderne dhe përpunimin tradicional mund të kombinohen për të krijuar sukses të qëndrueshëm.
Shqipja është një model për të gjitha gratë që dëshirojnë të zhvillojnë bujqësinë dhe përpunimin e produkteve vendore, duke ruajtur traditën dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të komunitetit të tyre.
Projekti IWKA “Përfshirja e grave në agrobiznesin e Kosoves” financohet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) përmes Engagement Global GgmbH, dhe implementohet nga CARE International dhe organizatat partnere lokale: Kosova-Women 4 Women (K-W4W) dhe Programi për të Drejta Civile në Kosovë (CRP/K).