KW4W

Storie Suksesi!

Fatime Ademi një fermere nga fshati Dabishec, nisi rrugëtimin e saj në bujqësi me një qëllim të qartë: të testojë veten dhe të kuptojë proceset e kultivimit të perimeve. Me vendosmëri dhe dëshirë për të mësuar, ajo mbolli domate dhe speca, duke e parë vitin e parë si një eksperiment që hapi rrugën për të ardhmen.
“Kjo ishte hera e parë që kultivoja në një serrë, dhe për mua ishte më shumë një proces mësimi. Nuk e dija se si do të shkonte, por tani, pas një sezoni të plotë, kam kuptuar shumë për ciklin e prodhimit dhe si të përmirësohem”, ndan nga historia e saj Fatimja.
Për të arritur deri këtu, ajo përdori serrën dhe sistemin e ujitjes pikë-pikë , që i lehtësuan punën dhe i mundësuan një menaxhim më efikas të burimeve. Me gjithë sfidat fillestare, Fatimja tashmë ndjen një siguri më të madhe dhe mezi pret të sjellë rezultate edhe më të mira vitin e ardhshëm.
Çfarë e dallon historinë e Fatimes?
“Bujqësia nuk është vetëm puna që bëjmë, por edhe dashuria dhe kujdesi që i japim tokës. Tani ndihem shumë më e përgatitur dhe besoj se sezoni i ardhshëm do të jetë ai që do të vërtetojë mundin tim,” shton ajo me entuziazëm.
Për vitin e ardhshëm, Fatimja synon:
✅ Zgjerimin e mbjelljeve me më shumë hapësira të dedikuara për domate dhe speca.
✅ Të ofrojë produkte të freskëta dhe cilësore për tregun lokal.
✅ Të frymëzojë gratë e tjera të angazhohen në bujqësi dhe të investojnë në të ardhmen e tyre.
Kjo histori nuk është vetëm për një fillim të suksesshëm në bujqësi, por edhe për guximin për të provuar diçka të re dhe për të mësuar nga çdo hap. Fatimja është një shembull se si pasioni dhe përkushtimi mund të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme.
Projekti IWKA “Përfshirja e grave në agrobiznesin e Kosoves” financohet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) përmes Engagement Global GgmbH, dhe implementohet nga CARE International dhe organizatat partnere lokale: Kosova-Women 4 Women (K-W4W) dhe Programi për të Drejta Civile në Kosovë (CRP/K).