Lajme

“Women 4 Women Kosova” vazhdon suksesshëm mbështetjen e mijëra grave në Kosovë

Autori: Ermirë Berisha 18:17 | 22 February 2022

Organizata, “Women 4 Women Kosova”, pjesë e organizatës ndërkombëtare “Women for Women International”, e cila ka përkrahur gratë e Kosovës që nga viti 1999, tash e 5 vite vazhdon misionin e saj si organizatë vendore në mbështetje të mijëra grave të margjinalizuara në Kosovë.

Mision i veçantë i kësaj organizate është të përmirësojnë gjendjen ekonomiko-sociale dhe mirëqenien e grave, duke u vënë në pah aftësitë e tyre për ndryshime pozitive.

Drejtoresha e organizatës, Iliriana Jaka Gashi, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Infokus, fillimisht na tregon se si është marrë iniciativa për krijimin e kësaj organizate, duke treguar në vazhdim të intervistës se janë me mijëra gra që falë angazhimit dhe mundësive që i kanë dhënë ata si organizatë, kanë përfituar në forma të ndryshme.

-Advertisement-

“Në fakt ideja për krijimin e organizatës nuk është e jona, kjo ide është nismë e një gruaje Irakiano- Amerikane, Zainab Salbi, e cila e ka themeluar organizatën “Women for Women International”, për t’i ndihmuar gratë në Bosnje dhe Hercegovinë, pastaj ka vazhduar në Kosovë dhe në shumë shtete të tjera. Puna jonë si organizatë vendore që 5 vite është vazhdimësi e punës si përfaqësues të kësaj organizate amerikane. Në vazhdojmë të kemi mision të njëjtë, përkrahjen e grave të margjinalizuara që ta ndryshojnë jetën e tyre, të familjeve të tyre dhe të shoqërisë, duke iu ofruar mundësinë për ketë”, tha për Gazetën Infokus, Drejtoresha e organizatës, Iliriana Jaka Gashi .

Gazeta Infokus: Sa është e kënaqur organizata juaj me punën realizuar brenda 5 viteve?

Iliriana Jaka Gashi: Shpresoj që nuk tingëllon si jo modeste të them që jam shumë e kënaqur. Ekipi jonë që numëron rreth 20 veta, ka arritur jo vetëm të vazhdojë të implementojë programin me të cilin ka punuar si organizatë ndërkombëtare, por e ka zgjeruar veprimtarinë duke punuar dhe ndihmuar një numër solid grashë. Për këto 5 vite mbi 1000 gra janë trajnuar ne fuqizimin social dhe ekonomik, gati 2000 gra me trajnim në zanate të ndryshme, rreth 1100 gra kanë gjetur punë përmes ndërmjetësimit të zyrës tonë për përkrahje për punësim, mbi 1000 gra me trajnime për avokim, 120 biznese janë mbështetur me grante dhe ngritje të kapaciteteve. Po ashtu kemi punuar në aftësimin e shoqatave, si përmes trajnimeve, ashtu edhe përmes punës së drejtpërdrejtë.

Gazeta Infokus: A i ka munguar Organizatës “Women 4 Women” përkrahja e donatorëve ndërkombëtar?

Iliriana Jaka Gashi: Projektet tona janë përkrahur nga pothuajse të gjithë donatorët ndërkombëtar në Kosovë, por kemi përkrahje edhe nga fondacione jashtë Kosovës dhe nga “Women for Women International”, me të cilën jemi edhe të ndërlidhur.

Gazeta Infokus: Për t’ju dhënë forcë dhe kurajë gjinisë femërore, cilat janë aktivitetet e realizuara në këtë organizatë?

Iliriana Jaka Gashi: Ne në vazhdimësi punojmë në drejtime të ndryshme, ngritja e kapaciteteve përmes trajnimeve dhe ofrimi i mjeteve përmes të cilave gratë do të mund t’i shfrytëzojnë aftësitë e fituara gjatë trajnimeve, janë pothuajse baza e punës tonë. Por edhe ngritja e vetëdijes për të drejtat dhe rolin e grave është po aq në fokusin e punës tonë. Dhe për të arritur rezultate sa më të mira në krijojmë partneritete me organizata të tjera, me biznese dhe të gjithë hisedarët me të cilët mund t’i krijojmë lidhjet me gratë dhe që e lehtësojnë suksesin e tyre.

Gazeta Infokus: Sa keni marrë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, për projektet të cilat i keni realizuar?

Iliriana Jaka Gashi: Deri tani kemi pasur dy projekte të përkrahura nga Qeveria e Kosovës, një nga Ministria e Inovacionit në vitin 2019 dhe një nga Agjencioni për Barazi Gjinore gjatë vitit 2021 si pjesë e pakos se rimëkëmbjes nga Covid-19. Në shumë prej komunave ku punojmë kemi po ashtu një bashkëpunim të mirë dhe mundohemi që t’i bashkërendojmë aktivitetet për t’i arritë qëllimet tona në arritjen e rezultateve për përfshirjen e grave në tregun e punës dhe vendimmarrje.

Gazeta Infokus: Sa është numri i grave të cilat kanë arritur të inspirohen, për të pasur sukses në jetë?

Iliriana Jaka Gashi: Besoj që përveç numrave të prezantuar më lartë storjet tona të suksesit e tregojnë sa është arritur fuqizimi i grave. Gra të cilat kanë arritur të themelojnë biznese pas përfundimit të programit tonë, të tjerat të cilat kanë arritur falë granteve tona të kenë biznese të suksesshme, posaçërisht gjatë pandemisë patjetër se janë të arritura. Në anën tjetër kemi një grua e cila është bërë udhëheqëse e këshillit të fshatit falë punës tonë. Kemi mbi 100 gra të cilat janë të quajtura agjente ndryshimi dhe që janë gra të cilat në komunitetet ku jetojnë bashkëpunojnë me gratë tjera, dhe kanë identifikuar nevojat për ndryshime dhe kanë përgatitur planet e avokimit, të cilat i kanë dorëzuar në komunat përkatëse.

Gazeta Infokus: Cili është aktiviteti që ka pasur më shumë ndikim pozitiv?

Iliriana Jaka Gashi: Duke qenë një organizatë e madhe që punon në shumë fusha dhe me një numër të madh grashë, është e vështirë të identifikohet një aktivitet që ka pasur më së shumti rezultate. Mund të them se rezultati jonë më i mirë është kombinimi i aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme si në fuqizimin social, ashtu edhe atë ekonomik e avokim.

Nuk di se sa dhe si mund të matet ndalimi i dhunës në familje përmes punës së organizatës tonë. Në një hulumtim të pavarur të kryer para disa vitesh për rezultatet e punës tonë, vet gratë e kanë vlerësuar si një ndër të arriturat më të mëdha lirinë e lëvizjes dhe besoj se kjo është një ndër treguesit indirekt për zvogëlimin e dhunës, e cila ka shumë forma.

Gazeta Infokus: Por që të keni efekt sa më të shpejtë në parandalimin e dhunës tek gratë, a keni bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës?

Iliriana Jaka Gashi: Gjatë trajnimeve tona por edhe gjatë fushatave të ndryshme ne i informojmë gratë se cilat janë mënyrat dhe kontaktet ku mund ta lajmërojnë dhunën, por nuk kemi bashkëpunim të drejtpërdrejtë me policinë e Kosovës. Gjatë vitit të fundit e kemi filluar një projekt ku do të punojmë me të mbijetuarat dhe viktimat e dhunës në baza gjinore dhe është e mundur që do të kemi një bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Gazeta Infokus: Cili është kërkesa juaj për institucionet shtetërore?

Iliriana Jaka Gashi: Ndoshta një kërkesë, jo vetëm për organizatën tonë, por në përgjithësi për organizatat joqeveritare, që institucionet të na përfshijnë më tepër në proceset e përpilimit të politikave dhe strategjive të ndryshme konform Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023.

Gazeta Infokus: Cili është mesazhi juaj për gratë?

Iliriana Jaka Gashi: I ftoj të gjitha gratë t’i shfrytëzojnë mundësitë që po ju ofrohen, të interesohen dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre të bashkuara në ato kërkesa, sepse vetëm duke e përkrahur njëra tjetrën do të mund të kenë një të ardhme më të mirë për vetën dhe gjeneratat që po vijnë. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera