Ka filluar punëtoria tre-ditore për përgaditjen e planeve të mitigimit në komunën e Skenderajt. Gjatë këtyre tre ditëve, përfaqësues nga institucionet, të dedikuara për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore, do të bashkëpunojnë për të vlerësuar sfidat specifike që rrjedhin nga pandemia COVID-19. Pas këtij vlerësimi, ata do të analizojnë kuadrin ligjor ekzistues dhe do të eksplorojnë strategjitë e avokimit që synojnë forcimin e të drejtave dhe mbrojtjen e vajzave dhe grave. Qëllimi përfundimtar është të zhvillohet një plan gjithëpërfshirës për angazhimin e komuniteteve dhe institucioneve lokale në përpjekjet për të parandaluar dhunën me bazë gjinore.
Këto punëtori, nën fasilitimin e ekspertes Jorida Xhafaj, kanë mbledhur bashkë Ajtene Zoni, Prokurore në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë; Shpresa Uka, Hetuese e Njësitit të Dhunës në Familje – Policia në Skenderaj; Albinot Mehmeti, Udhëheqës i sektorit të shëndetësisë në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqeniës Sociale në Skenderaj, Qefsere Dautaj Uka, Zyrtare për Barazi Gjinore dhe të Drejta të Njëriut në Skenderaj, Mirjeta Veliu, Punëtore Sociale në Qendrën për Punë Sociale në Skenderaj; Hadije Ahmeti, Zyrtare në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Raba Voca” – Mitrovicë.
Punëtoritë po zhvillohen në kuadër të projektit “Together Building Resilience” i financuar nga Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës kundër grave (UN Trust Fund). Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave (UN Trust Fund) është i vetmi mekanizëm global për dhënien e granteve i dedikuar ekskluzivisht për të adresuar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel lokal dhe kombëtar. Deri më sot, Fondi i Mirëbesimit i OKB-së ka dhënë 215 milionë dollarë për 646 iniciativa në 140 vende dhe territore.