KW4W

Paneli i dytë me fokus pabarazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore ndaj grave me gratë nga fshati Revuq

Dje u mbajt paneli i dytë për këtë vit me fokus pabarazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore ndaj grave, çështje të rënda strukturore në Kosovë dhe në mbarë botën. Në këtë bashkëbisedim u ftuan të marrin pjesë gratë nga fshati Revuq i komunës së Podujevës, duke u ofruar atyre mundësinë të dëgjojnë nga ata që luftojnë aktivisht me këto fenomene të rënda.
Në këtë panel, rolin dhe kontributin e Policisë së Kosovës e prezantoi togerja Antigona Çitaku-Dibrani nga Policia e Kosovës, ndërsa punën e Qendrës për Punë Sociale në Podujevë, punëtorja sociale Selvete Shabani. Ngjashëm, znj. Elmedina Sejdiu, punonjëse sociale në strehimoren për dhunë në familje në Prishtinë gjithashtu ndau përvojat rreth punës së tyre. Biseda u moderua nga Fortesa Kryeziu.
Ky diskutim i lejoi ekspertët të ndërveprojnë drejtpërdrejt me pjesëmarrësit, duke i informuar ato për format e ndryshme të dhunës, metodat për ta luftuar këtë dhunë dhe mënyrat se si institucionet e tyre përkatëse po punojnë për ta luftuar dhunën. Kjo përpjekje synon të krijojë një mjedis më të sigurt dhe një jetë më të mirë për të mbijetuarit e dhunës.
Ky panel u organizua në kuadër të projektit “Së Bashku Ndërtojmë Reziliencën”, të financuar nga UN Trust Fund to End Violence against Women (UN Trust Fund). UN Trust Fund është i vetmi mekanizëm global për dhënien e granteve, i dedikuar ekskluzivisht për adresimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel lokal dhe kombëtar.