KW4W

Diskutim informativ mbi mekanizmat ekzistues kundër dhunës në baza gjinore me gra nga komuna e Lipjanit

Pabarazia gjinore dhe dhuna me bazë gjinore ndaj grave janë çështje strukturore që ndikojnë jetët e shumë grave në Kosovë dhe në botë. Këtë javë zhvilluam diskutim informativ mbi mekanizmat ekzistues kundër dhunës në baza gjinore me gra nga komuna e Lipjanit të cilat patën mundësinë të dëgjojnë nga personat e kyçur direkt në luftimin e këtij fenomeni.
Diskutimi shpërfaqi punën e Qendrës për Punë Sociale ku të pranishme ishin Znj. Makfirete Shamolli, drejtore në këtë institucion dhe Znj. Fjolla Ibrahimi, punëtore sociale, Zyrës për Barazi Gjinore të cilën e përfaqësoi zyrtari Z. Hasan Luma, si dhe Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Antidiskriminim të cilën e përfaqësoi koordinatorja Znj. Gjyste Dabaj.
Diskutimi u hap nga Drejtorja Ekzekutive në Kosova – Women 4 Women, znj. Iliriana Gashi, ndërkaq u moderua nga zyrtarja e projektit Laura Cakolli.
Në kuadër të diskutimit u prezantua edhe videoja e shkurtër “Ki kon e thirrë”, produkt i Kosova – Women 4 Women.
Gjatë diskutimit ekspertët bashkëbiseduan me participantet për të përçuar informata të ndryshme rreth formave të dhunës, mënyrave të luftimit të dhunës dhe mënyrat se si institucionet e tyre e luftojnë dhunën dhe kontribuojnë në jetë më të mirë për të mbijetuarit e dhunës. Ky panel u organizua në kuadër të projektit “Së Bashku Ndërtojmë Reziliencën”, të financuar nga UN Trust Fund to End Violence against Women (UN Trust Fund).
Falënderojmë panelistet dhe pjesëmarrëset për një diskutim të hapur dhe të frytshëm!
UN Trust Fund është i vetmi mekanizëm global për dhënien e granteve, i dedikuar ekskluzivisht për adresimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel lokal dhe kombëtar. Deri më sot, UN Trust Fund ka mbështetur 572 organizata në 140 vende dhe territore.