Ka filluar punëtoria tre-ditore për përgaditjen e planeve të mitigimit në komunën e Ferizajt. Gjatë këtyre tre ditëve, përfaqësues nga institucionet, të dedikuara për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore, do të bashkëpunojnë për të vlerësuar sfidat specifike që rrjedhin nga pandemia COVID-19. Pas këtij vlerësimi, ata do të analizojnë kuadrin ligjor ekzistues dhe do të eksplorojnë strategjitë e avokimit që synojnë forcimin e të drejtave dhe mbrojtjen e vajzave dhe grave. Qëllimi përfundimtar është të zhvillohet një plan gjithëpërfshirës për angazhimin e komuniteteve dhe institucioneve lokale në përpjekjet për të parandaluar dhunën me bazë gjinore.
Këto punëtori, nën fasilitimin e ekspertes Jorida Xhafaj, kanë mbledhur bashkë Major Muhamet Jahirin, Shef i Hetimeve të Përgjithshme në Drejtorinë Rajonale të Ferizajt; Nadire Ymeri, Drejtore e Qendrës Kryesore Familjare të Ferizajt; Agim Kuka, Zv. Kryeprokuror në Ferizaj; Adelina Rexhepi Braha, Drejtore e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj; Sevdije Bunjaku, Drejtore e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Ferizaj; Mimoza Pajaziti, Kryesuese e Grupit të Grave Asambleiste në Ferizaj.
Punëtoritë po zhvillohen në kuadër të projektit “Together Building Resilience” i financuar nga Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës kundër grave (UN Trust Fund). Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave (UN Trust Fund) është i vetmi mekanizëm global për dhënien e granteve i dedikuar ekskluzivisht për të adresuar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel lokal dhe kombëtar. Deri më sot, Fondi i Mirëbesimit i OKB-së ka dhënë 215 milionë dollarë për 646 iniciativa në 140 vende dhe territore.