KW4W

Rezilienca dhe Fuqizimi i Grave Kundrejt Dhunës Gjinore: Konferencë Ndërinstitucionale nga Kosova – Women 4 Women dhe Universiteti i Prishtinës

Kosova – Women 4 Women në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Departamenti i Psikologjisë dhe me pjesëmarrjen e eksperteve nga fusha të ndryshme të angazhuara në promovimin e barazisë dhe mirëqenies së grave, më 07 dhjetor mbajtën konferencën “Eksplorimi i Reziliencës dhe Fuqizimit të Grave Kundrejt Dhunës në Baza Gjinore”, në ambientet e Fakultetit Filozofik. Ngjarja shërbeu si pikë qendrore, duke mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve të ndryshme, profesorë dhe studentë nga Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe gratë përfituese të Kosova – Women 4 Women.
Konferenca filloi me fjalën hyrëse të Kaltrina Kelmendit, Udhëheqëse e Departamentit të Psikologjisë, e më pas fjalimi i mirëseardhjes nga Dashamir Bëxulli, Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Iliriana Gashi, Drejtore Ekzekutive e Kosova – Women 4 Women, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të organizatës me Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, për të vazhduar pastaj me prezantimin e punës dhe arritjeve të organizatës, duke nënvizuar kështu rolin krucial të reziliencës në mesin e grave. Më pas, Laura Cakolli, Zyrtare e Projektit, prezantoi projektin “Së Bashku Ndërtojmë Reziliencën”.
Fokusi kryesor i konferencës ishte paneli i diskutimit me temën “Mundësitë dhe Resurset për Promovimin e Reziliencës”. Ky panel mblodhi së bashku përfaqësues nga institucione të ndryshme dhe profesionistë të shëndetit mendor. Visare Mujko Nimani (Shefe e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë), Vesa Rezniqi Pallasaka (Zyrtare e
Programit Gjinor në UNDP – Kosovë), Xhevahire Balaj (Psikologe Klinike), Fjolla Ibrahimi (Psikologe në Qendrën për Punë Sociale – Lipjan), dhe Natyra Agani (Psikologe Klinike dhe Profesore në Departamentin e Prishtinës – UP), morën pjesë në këtë diskutim gjithëpërfshirës. Paneli u moderua nga Kaltrina Kelmendi, Udhëheqëse e Departamentit të Psikologjisë në UP dhe Laura Cakolli, Zyrtare e Projektit në K – W4W.
Konferenca trajtoi me sukses faktorët mbështetës, sfidat dhe rolin jetik të institucioneve, profesionistëve të shëndetit mendor, dhe organizatave të shoqërisë civile në promovimin e reziliencës dhe fuqizimin e grave kundrejt dhunës me bazë gjinore. Bashkëpunimi ndërmjet Kosova – Women 4 Women dhe Departamentit të Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës siguroi një platformë për njohuri dhe diskutime të vlefshme, duke nxitur një përpjekje kolektive drejt një komuniteti më rezilient dhe më të fuqizuar.
Kjo konferencë është zhvilluar në kuadër të projektit “Together Building Resilience” i financuar nga Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës kundër grave (UN Trust Fund). Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave (UN Trust Fund) është i vetmi mekanizëm global për dhënien e granteve i dedikuar ekskluzivisht për të adresuar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel lokal dhe kombëtar. Deri më sot, Fondi i Mirëbesimit i OKB-së ka dhënë 215 milionë dollarë për 646 iniciativa në 140 vende dhe territore.