KW4W

Shtërpca Fillon Punëtorinë për Hartimin e Planeve të Mitigimit kundër Dhunës me Bazë Gjinor

Ka filluar punëtoria tre-ditore për përgaditjen e planeve të mitigimit në komunën e Shtërpcës. Gjatë këtyre tre ditëve, përfaqësues nga institucionet, të dedikuara për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore, do të bashkëpunojnë për të vlerësuar sfidat specifike që rrjedhin nga pandemia COVID-19. Pas këtij vlerësimi, ata do të analizojnë kuadrin ligjor ekzistues dhe do të eksplorojnë strategjitë e avokimit që synojnë forcimin e të drejtave dhe mbrojtjen e vajzave dhe grave. Qëllimi përfundimtar është të zhvillohet një plan gjithëpërfshirës për angazhimin e komuniteteve dhe institucioneve lokale në përpjekjet për të parandaluar dhunën me bazë gjinore.
Këto punëtori, nën fasilitimin e ekspertes Jorida Xhafaj, kanë mbledhur bashkë Ivana Milenkovic, Gjyqtare në Gjykatën Themelore – dega në Shtërpcë; Ramiz Rexhepi dhe Mileva Dordevic, Përfaqësues të Njësitit të Dhunës në Familje në Stacionin Policor në Shtërpcë; Marko Stanojevic, Drejtor në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Shtërpcë; Jovica Markovic, Drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Shtërpcë; Radica Milosavljevic, Zyrtare për Barazi Gjinore dhe të Drejta të Njeriut në Shtërpcë; Marjan Spasic, Drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Shtërpcë.
Punëtoritë po zhvillohen në kuadër të projektit “Together Building Resilience” i financuar nga Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës kundër grave (UN Trust Fund). Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave (UN Trust Fund) është i vetmi mekanizëm global për dhënien e granteve i dedikuar ekskluzivisht për të adresuar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel lokal dhe kombëtar. Deri më sot, Fondi i Mirëbesimit i OKB-së ka dhënë 215 milionë dollarë për 646 iniciativa në 140 vende dhe territore.