KW4W

Diskutim informativ mbi mekanizmat ekzistues kundër dhunës në baza gjinore me gra nga komuna e Ferizajt

Pabarazia gjinore dhe dhuna me bazë gjinore ndaj grave janë çështje strukturore që ndikojnë jetët e shumë grave në Kosovë dhe në botë. Sot zhvilluam diskutim informativ mbi mekanizmat ekzistues kundër dhunës në baza gjinore me gra nga komuna e Ferizajt, të cilat patën mundësinë të dëgjojnë nga personat e kyçur direkt në luftimin e këtij fenomeni.
Diskutimi mblodhi bashkë Major Muhamet Jahirin, Shef i Hetimeve të Përgjithshme në Drejtorinë Rajonale të Ferizajt, Sevdije Kasumi-Bunjakun, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës “Shtëpia Ime” në Ferizaj, si dhe Emira Sallahun, Udhëheqëse e Sektorit për Mirëqenie Socaile pranë Drejtorisë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Ferizaj. Diskutimi u hap nga Gjylere Morina, trajnere për fuqizim social në Kosova – Women 4 Women.
Gjatë diskutimit ekspertët bashkëbiseduan me participantet për të përçuar informata të ndryshme rreth formave të dhunës, mënyrave të luftimit të dhunës dhe mënyrat se si institucionet e tyre e luftojnë dhunën dhe kontribuojnë në jetë më të mirë për të mbijetuarit e dhunës.
Ky panel u organizua në kuadër të projektit “Së Bashku Ndërtojmë Reziliencën”, të financuar nga UN Trust Fund to End Violence against Women (UN Trust Fund).
Falënderojmë panelistet dhe pjesëmarrëset për një diskutim të hapur dhe të frytshëm!
UN Trust Fund është i vetmi mekanizëm global për dhënien e granteve, i dedikuar ekskluzivisht për adresimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel lokal dhe kombëtar. Deri më sot, UN Trust Fund ka mbështetur 572 organizata në 140 vende dhe territore.