Hyrije Ymeri, nga komuna e Shtërpcës, është njëra nga gratë e programit të Kosova –Women 4 Women e cila ka kandiduar në zgjedhjet lokale të mbajtura në Kosovë në nëntor të vitit 2017. Ymeri e cila e ka marrë këtë hap të guximshëm, rrëfen për motivet që e kanë shtyer atë t’i futet politikës dhe ta sfidojë vetën në këtë sferë. Në rrëfimin e saj mbi motivet dhe rrugën të cilën e ka përshkuar deri tek vendimi i saj për të kandiduar për asamblenë komunale të Shtërpcës, Hyrija tregon mbi rolin dhe ndikimin e organizatës Women for Women International, tani Kosova –Women 4 Women në jetën e saj dhe ndërrimit të kursit të mënyrës se si gratë e komunitetit të saj e përceptojnë rolin e tyre në shoqëri. Hyrija rrëfen se programin 1 vjeqar të cilin e ka përfunduar para katër viteve e sheh si një factor krucial që ka ndikuar në fuqizimin e saj si ekonomik poashtu edhe për vetëdijësimin e saj karshi pozitës së saj si grua në shoqëri dhe rolin e rrjedhimisht përgjegjësitë që bijnë mbi të dhe gratë si komunitet të ndihmojnë njëra tjetrën. “Program i KW4W, i cili na ka ofruar trajnime njëvjeqare kryesisht në bujqësi, ka ndikuar dukshëm në rritjen e aktiviteteve ekonomike pasiqë pas kësaj kam fituar donacion për lokal për të kultivuar bimë dhe barëra shëruese që ka ndikuar pozitivisht në mirëqenien ekonomike të familjes time” Përveç kësaj, “pas përfundimit të programit një grup i grave në komunën tonë e kemi formuar shoqatën “Boronica e Sharrit” e cila për ne paraqet një arritje si për aspektin ekonomik poashtu edhe në atë se kemi arritur që si gra të kemi një grup tonin ekonomikisht produktiv ”. Gjithashtu, Ymeri thekson se një nga efektet më të prekshme të programit ka qenë arritja e kohezionit social, pasiqë gratë përmes trajnimeve të ndryshme që kanë ndjekur kanë arritur ta avancojnë socializimin mes tyre dhe të krijojnë kështu komunitetin e tyre që rrjedhimisht ka ndikuar që gratë të jenë më shumë në kontakt me njëra-tjetrën dhe të ndajnë përvojat, shqetësimet dhe idetë mes vete. Rrjedhimisht, vetëdijësimi për pozitën sociale dukshëm të disfavorshme për gratë, ka qenë një nga arsyet të cilat sipas Ymerit, e kanë shtyrë atë të kandidojë për asambleiste që në mënyrë më transparente t’i artikulojë dhe përfaqësojë interesat dhe nevojat e grave në nivel vendimmarrës. Ajo, megjithëse nuk ka fituar në zgjedhje, vazhdonë të mbrojë kauzën e saj që të jetë një zë më shumë i cili do i paraqes nevojat e komunitetit të saj dhe të punojë për to sipas metodave dhe formave të mundshme.