Merita Bunjaku, një grua nga komuna e Kaçanikut e cila tani edhe ka filluar studimet, shkenca politike dhe administratë publike, ka vendosur që në zgjedhjet lokale të vitit 2017 t’i hyjë garës për asamble komunale të Kaçanikut. Bunjaku e cila është njëra nga gratë e programit të K-W4W e diplomuar në vitin 2014 shpjegon përvojën e saj me programin dhe ndikimin që ka pasur programi në vendimin e marrë nga ajo që të kandidojë në zgjedhje. Në fjalët e Meritës “programi ka qenë shumë i dobishëm, i nevojshëm dhe një eksperiencë e cila ka ardhur në kohën e duhur duke qenë se realiteti për gratë në atë periudhë ka qenë dukshëm në disfavor të grave.” Ajo shpjegon se “gratë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë pak të kyqura në jetën publike dhe një trajnim si ky i K-W4W është më se i dobishëm për ne dhe shoqërinë për të thyer sado pak mendimin se gruaja është vetëm për punë të shtëpisë”. Bunjaku deklaron se qëndrimi dhe bindja e saj ka qenë që t’i kundërshtojë këto norma shoqërore të cilat e mbrojnë dhe e riprodhojnë një diskriminim të vazhdueshëm për gratë. Si rrjedhojë, trajnimi përmes diskutimeve dhe trajnimeve e profilizimeve të grave, ka qenë edhë një shtytje më tepër për t’i shtyerë përpara idetë e Meritës drejt një trajtimi më të barabartë për gratë dhe burrat në shoqëri.Merita shpjegon se para programit ka qenë shumë pasive duke u fokusuar siç thotë ajo “vetëm në kryerjen e punëve të shtëpisë dhe kujdesjen e fëmijëve” ndërsa pas përfundimit të programit, ajo tregon se ka filluar më intensivisht të jetë aktive dhe të mirret me aktivitete të ndryshme të cilat do i siguronin asaj një jetë më të mire, duke përfshi edhe fillimin e studimeve.
Mungesa e grave në asamblenë komunale dhe diskriminimi evident i grave në komunitet kanë qenë ndër faktorët kyç të cilët sipas Meritës, e kanë shtyrë atë të kandidojë për asambleiste në zgjedhjet komunale. Megjithëse ajo thekson nevojën që të ketë më shumë gra në asamble dhe të dëgjohet zëri i grave, Merita tregon se gratë janë të neglizhuara si gjini në komunën e saj dhe kjo i shërben asaj si motiv shtesë që të vazhdojë t’i mbrojë kauzat e saj për t’u trajtuar barabartë me burrat në shoqëri. Nisur nga kjo, ajo shprehet e bindur se edhe pse nuk ia ka dalur të fitojë në këto zgjedhje ajo do të vazhdojë me edukimin e saj dhe të ndikojë rrjedhimisht pozitivisht në komunitet. Ajo tregon se kandidimi në zgjedhjet komunale, e kanë ushqyer edhe më shumë ambicien e saj të vazhdojë të punojë dhe të kandidojë prapë në zgjedhjet e ardhshme komunale. Siç tregon Merita, duke qenë më e votuara në fshatin e saj, zgjedhjet lokale të 2017-ës janë shndërruar në inspirim të vazhdojë të edukohet dhe të punojë që gratë të fuqizohen dhe të fitojnë një pozitë të barabartë në shoqëri dhe të trajtohen drejtë dhe barabartë me burrat.