Valdete Sahiti nga komuna e Vitisë, është një grua tjetër e cila e ka sfiduar vetën edhe në politikë në zgjedhjet lokale që janë mbajtë në vitin 2017 në Kosovë. Valdetja, e cila është njëra nga gratë më aktive të komunës së Vitisë, duke i paraqitur në mënyrë kronologjike fazat e jetës së saj, të cilat janë përshkuar nga një aktivitet para martesës dhe një pasivitet pas martesës ndalet në periudhën kur ajo veç kishte dëgjuar për organizatën Women for Women International, tani Kosova- Women for Women, dhe thotë se “pjesëmarrja ime në programin e organizatës ka qenë si një ringjallje për mua, kjo pasiqë programi dhe aktivitetet e shumëta më kanë ndihmuar të dal nga ai pasivitet total për të cilin as nuk kisha qenë e vetëdijshme” “Programi të cilin e kam përfunduar në fund të vitit 2015 ka qenë kthesë për mua, pasiqë pas shumë vitesh fillova prapë të aktivizohesha, kësaj rradhe me ritme edhe më dinamike dhe me motivimin e burrit dhe të rrethit, ia kam dalë që të fitojë vetëbesim dhe të aktivizohem çdo herë e më shumë”. Valdetja, duke e përsëritur rolin vendimtar të organizatës KW4W thotë se përgjatë programit ajo së bashku me një grup të grave të Skifterajt kanë formuar shoqatën “Agro Skifteraj” kryetare e së cilës është zgjedhur ajo. Gjithashtu Valdetja pohon se shoqata tashmë është shumë aktive dhe ka fituar donacione të cilat kanë mundësuar që gratë të vetëpunësohen dhe të krijojnë kështu një biznes fitimprurës përmes kultivimit dhe konservimit të perimeve. “Falë trajnimeve të mbajtura, sot unë jam në gjendje që në mënyrë të shkëlqyeshme të hartojë biznes-plane e që më ka ndihmuar mua dhe shoqatës të fuqizohemi dhe të rritemi”
Ndërsa kur flet për atë se çka e shtyri të marrë vendimin për të kandiduar për asambleiste në komunën e Vitisë, Valdetja shpjegon se ka qenë ndikimi i rrethit dhe gjendjes në komunën e Vitisë, faktorët kyç që e kanë shtyrë të kandidojë. Ajo pohon se mungesa e shërbimeve publike efikase dhe problemet të cilat lindin zinxhirë si pasojë e mosfunksionimit të mirë të shërbimeve publike në komunën e Vitisë, kanë ndikuar që ajo t’i hyjë politikës. Edhe pse nuk ia ka dalur që të zgjidhet si asambleiste, Valdetja thekson se ajo do të vazhdojë të japë kontributin e saj në komunitet edhe jashtë politikës, përmes fuqizimit të biznesit të kultivimit dhe konservimit të perimeve e cila do t’i fuqizojë rrjedhimisht edhe gratë të cilat janë pjesë e shoqatës dhe gratë që kanë vullnetin për t’u marrë me bujqësi.